Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë përsëri se vaksina kundër koronavirusit do të vijë në shkurt, por sipas tij për këtë proces, duhet të ketë durim.
“Jemi në pritje të ardhjes së vaksinave, gjatë muajit shkurt vaksina antiCOVID do të jetë në Kosovë. Duhet të keni durim, shpresoj që ky proces të shkojë në rregull”, tha ai.
Zemaj u shpreh se ka problem për sigurimin e vaksinave edhe nga vendet evropiane dhe nga prodhuesi i vaksinës, por nuk tregoi për ndonjë datë se kur vjen ajo në vendin tonë.
Ministri Zemaj foli edhe për variantin e ri të koronavirusit në Kosovë, gjersa shtoi se personat e infektuar me këtë variant janë shëruar.
“Menjëherë iu kemi informuar kur kanë ardhë raportet nga Berlini, rastet kanë qenë të identifikuara dhe të kontaktit, janë për pjesë të shërimit, janë shëruar, nesër Klinika Infektive bashkarisht me partnerët do të kemi një komunikim online dhe ta përcjellim këtë që mos të kemi problem”, shtoi ndër të tjera ai.