E premte, 22 Tetor, 2021
No menu items!
spot_img

Vjosa Osmani e injoroi ceremoninë e njohjes nga Izraeli, shkoi në një kopsht të fëmijëve për fushatë

Duhet lexuar

spot_img

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e ka bërë një veprim skandaloz dje, duke e injoruar ceremoninë e zyrtarizimit të njohjes reciproke Kosovë-Izrael. Ajo refuzoi t’u bashkohet në ceremoninë e rëndësishme kryeministrit në detyë, Avdullah Hoti dhe ambasadorit të SHBA-së, Philip Kosnett. Osmani dje qëndroi në kryeqytet, por zgjodhi ta vizitonte një kopsht të fëmijëve në Prishtinë. Për ngjarjen e rëndësishme të zyrtarizimit të njohjes së Kosovës nga Izraeli, ajo u mjaftua duke e çuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, këshilltarin e saj, Faton Peci.

Vjosa Osmani është shfaqur shumë aktive ditëve të fundit, duke kërkuar gjithandej votat e qytetarëve përpara garës zgjedhore të 14 shkurtit. Ritmin nuk e ndali as dje, kur Kosova regjistroi njohjen zyrtare nga Izraeli në një ceremoni që u zhvillua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Osmani nuk shkoi aty, duke zgjedhur ta vazhdonte fushatën në terren.

Gazeta Express ka pyetur në Presidencë lidhur me agjendën dhe aktivitetet që Osmani i ka pasur gjatë ditës së djeshme dhe për arsyet se pse ajo nuk ka marrë pjesë në ceremoni. Përgjigjja ka munguar, por vetë Osmani përmes faqes së saj në Facebook ka treguar se si e ka kaluar të hënën e kësaj jave.

Në kohën kur nisi ceremonia, ushtruesja e detyrës së presidentes publikoi në Facebook një fotografi të bërë para pak ditësh ku shihej duke ecur sheshit të Mitrovicës së Jugut bashkë me ish-rivalin e saj politik, Albin Kurti dhe një turmë njerëzish përreth.

Pak minuta para se të niste ceremonia e vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtetin e fuqishëm nga Azia Perëndimore, Osmani ishte duke xhiruar një video për fushatë me fëmijët e një kopshti në Prishtinë.

“Sot, në Qendrën edukative “Loja”, pashë shumë fëmijë, talenti i të cilëve po kultivohet sot dhe i cili nesër do të jetë në funksion të të mirës së përgjithshme”, shkroi ndër tjerash Osmani mbi videon e publikuar në Facebook.

Përveç kopshtit, ajo e ka vizituar edhe kompaninë “Gjirafa”.

“Vizitë shumë e këndshme sot në njërën ndër kompanitë më të suksesshme në vendin tonë – Gjirafa”, shkroi Osmani të hënën.

Presidenti, pozitë që aktualisht ushtrohet nga Osmani, mungoi në ambientin e stolisur me flamuj të Kosovës dhe Izraelit, por edhe flamurin e SHBA-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Aty janë parë duke festuar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla e koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë – Serbi, Skender Hyseni. Përfaqësues i Presidencës aty ishte vetëm këshilltari i Osmanit, Faton Peci.

Të hënën përpara kësaj ceremonie, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e ka përshëndetur zyrtarizimin e njohjes së ndërsjellë Kosovë-Izrael. Përmes një komunikate për media, ajo tha se marrëdhëniet mes popullit të Kosovës dhe atij të Izraelit kanë qenë historikisht të fuqishme.

“U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës. Dr.Vjosa Osmani përshëndetë aktin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit, ceremoni kjo që pritet të mbahet sot. Marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë kanë qenë historikisht të fuqishme e të bazuara në solidaritet dhe miqësi. Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hapë rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Gjatë ceremonisë, pas deklaratave ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabi Ashkenazi e kanë falenderuar e uruar njëri-tjetrin. Kryediplomati izraelit e ka cilësuar historike ditën e djeshme, duke e falenderuar SHBA-në për këtë, ndërsa më pas e ka zbuluar një pllakë me mbishkrimin “Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem, Izrael”.

Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë që ishte ndërmjetësuar nga administrata e Donald Trump në shtator të vitit të kaluar. Marrëveshja përfshinte gjithashtu njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Izraelit si dhe zotimin që Kosova dhe Serbia t’i vendosin ambasadat e tyre në Jerusalem.

spot_img
spot_img

Lajmet e fundit

Përleshje mes kosovarëve në Zvicër, plagosen burrë e grua

Një burrë dhe një grua kanë mbetur të plagosur në një konflikt mes disa kosovarëve, që ka ndodhur sot rreth...

Më shumë artikuj si kjo