Kur njerëzit diagnostikohen për të parën herë me kancer, me gjasa kanë dhjetëra, në mos qindra pyetje për të bërë. Por, kur ulen në zyrën e mjekut, është lehtë të harrohet çdo gjë që është dashur të pyetet mjeku rreth trajtimit të kancerit
Andaj, krijoni disa pika dhe shkoni i përgatitur tek specialisti, shkruan në faqen e Institutit të kancerit, Boston, SHBA, përcjell Telegrafi.
Për ta bërë këtë më të lehtë, këtu do të ju paraqesim një listë të pyetjeve të cilat mund t’ia parashtroni mjekut tuaj rreth gjendjes dhe trajtimit të kancerit:
- Çfarë lloj kanceri kam? Në çfarë shkalle është?
- Sa i rëndë është kanceri tek unë?
- Çfarë mund të jenë parashikimet?
- Cilat janë zgjidhjet e mia për trajtimin e këtij kanceri?
- A janë këto trajtime të dëshmuara ose eksperimentuara?
- A janë këto trajtime të përfshira në sigurimin shëndetësor?
- Çfarë mund të pres nga trajtimi im i kancerit? Sa mund të zgjatë kjo? Si do të ndjehem?
- Çfarë efektesh anësore ose komplikimesh mund të kem nga trajtimi?
- Si plotësim i mjekimit të kancerit, a do të kem nevojë edhe për barna tjera? Nëse po, çfarë dhe për sa kohë?
- A duhet të bëj ndryshime në ushqimin ose mënyrën e jetës time para se të filloj mjekimin e kancerit?
Ju po ashtu do të doni ta pyetni mjekun tuaj të kancerit rreth kualifikimeve të tij/saj. Kjo është një provë e mirë: A është ky doktor edhe personi i duhur për t’ju mjekuar juve?
Qe disa pyetje që duhet ta pyesni para se të bëheni pacient i mjekut në trajtimin e kancerit:
- Sa përvojë keni në trajtimin e pacientëve me këtë lloj të kancerit?
- Sa njerëz me kancerin që e kam unë keni trajtuar në vitin e fundit?
- A jeni të licencuar? Nëse po, në çfarë fushe specialistike ose subspecialistike?
- A keni kualifikime tjera të lidhura me këtë fushë?
- A bashkëpunoni afërsisht edhe me specialistë tjerë të kësaj fushe dhe punëtorë tjerë shëndetësorë, të cilët mund të jenë pjesë e ekipit që do të mjekojnë kancerin tek unë?
- Me cilat spitale punoni?
- A janë eksperimentet klinike të pranishme në këtë qendër mjekësore? Nëse jo, a janë të pranishme në këtë zonë?
- A mund të më rekomandoni ndonjë mjek tjetër për zgjidhje sekondare?