E diel, 18 Prill, 2021
No menu items!
spot_imgspot_img

Pse po vonohet krijimi i Institutit për krimet e luftës në Kosovë?

Duhet lexuar

spot_img

Qysh prej pavarësimit të Kosovës është folur për mbledhjen e dëshmive për luftën e fundit në Kosovë. Madje për këtë janë themeluar edhe institute, por asnjëherë Kosova nuk ka ngritur padi kundër shtetit serb.

E një përpjekje e tillë po zhvillohet edhe tash. Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është formuar një grup punues për tu bërë pastaj Institut për Krime Lufte në Kosovë.

Sekretari i grupit punues për këtë institut, Jahja Lluka ka folur për FaktePlus se si do të shkojë ky proces.

Ai ka thënë që javën e ardhshme pritet të përfundohet një draft dhe t’i dërgohet ministrit në detyrë, Selim Selimit dhe pastaj Qeverisë.

Madje Lluka ka thënë që sa i përket grupit punues, punët janë kryer dhe që tashmë themelimi i Institutit për Krime Lufte në Kosovë varet vetëm nga Qeveria.

“Të mërkurën e kaluar (11 mars) e kemi pasur takimin e grupit, e kemi diskutuar projekt-analizën që e kemi përgatitur si grup. Andaj besoj që pas diskutimeve të draftit gjatë javës së ardhshme t’i dorëzohet ministrit dhe Qeverisë. Themelimi i këtij instituti tash e tutje varet vetëm nga qeveria.”, ka thënë Lluka.

Ndërsa nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë që më 15 prill është afati i paraparë për paraqitjen e analizës nga Grupi punues për themelimin e Institutit për Hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

“ Që nga themelimi i Grupit Punues janë organizuar katër takime, afati i paraparë për paraqitjen e analizës/studimit nga Grupi punues për themelimin e Institutit për Hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, është deri më datën 15 prill 2021.”, kanë thënë nga MD për FaktePlus.

Lluka ka theksuar që themelimi i këtij Instituti është 20 vjet me vonesë, gjë e cila e vështirëson mbledhjen e dëshmive për gjenocid në Kosovë. Mirëpo, sipas tij, prapë ka njerëz e institucione që posedojnë dëshmi, të cilat duhet të mbledhen në një lëndë.

“Jemi 20 vjet me vonesë për t’i hulumtuar dëshmuar krimet që janë bërë në Kosovë. Por ka njerëz dhe institucione që kanë materiale dhe duhet t’i mbledhim që të gjitha në një lëndë.”, ka thënë Lluka për FaktePlus.

Ai ka thënë që përveç dëshmive gojore, ata kanë planifikuar që të gjejnë edhe incizime që t’i dëshmojnë më bindshëm këto krime.

“Shumë dëshmitarë kanë vdekur. Ne kemi planifikuar që përveç dëshmive gojore, të gjejmë edhe incizime.”, ka thënë Lluka.

Ai gjithashtu ka thënë që qëllimi i këtij Instituti nuk lidhet me Gjykatën Speciale, por që të dokumentohen krimet dhe gjenocidi në Kosovë.

Ndërkaq, nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë që analiza e themelimit të këtij Instituti i është dërguar kryeministrit për përfshirje në rend të ditës.

“Sa i përket çështjes së themelimit të Grupit Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, ju njoftojmë se Ministria e Drejtësisë më datë 06.10.2020 ka proceduar për në Zyre të Kryeministrit kërkesën për përfshirje në rend të ditës propozimin përkitazi me këtë çështje.”, kanë thënë nga MD në një përgjigje për FaktePlus.

Ministria e Drejtësisë gjithashtu ka njoftuar se dokumenti i përgatitur është miratuar në takimin e fundit dhe është vendosur që t’i dërgohet Qeverisë për shqyrtim dhe miratim.

“Me kërkesë të kryesuesit të Grupit Punues, Departamenti përkatësisht Divizioni për Drejtësi Tranzicionale ka përgatitur një dokument analitik mbi procesin e themelimit të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë. Dokumenti i përgatitur është miratuar në takimin e fundit dhe është vendosur që i njëjti t’i dërgohet Qeverisë për shqyrtim dhe miratim.”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1998-1999 janë vrarë mbi 13.500 persona, prej të cilëve 76% besohet të kenë qenë civilë. Ndërsa numri i të pagjeturve është 1600.



spot_img
spot_img

Lajmet e fundit

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit sot kreu fluturimin e parё

TV Klan nga Shqipёria sot lajmёroi se ёshtё inauguruar Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e Veriut” si dhe është...

Më shumë artikuj si kjo

- Advertisement -spot_img