Në Kosovë ekziston një komunitet i madh i grave që punojnë në nënsektorin e bimëve mjekësore (BMA) dhe produkteve pyjore jo-drusore (PPJD), që vlerësohet në 62 për qind të numrit të përgjithshëm të punëtorëve. Edhe pse kryesisht ato si grumbulluese dhe kultivuese, me këtë veprimtari mirëqenia e grave është avancuar me kalimin e kohës, sidomos kur kemi parasysh mundësitë e kufizuara për punësim për gratë në zonat rurale. Po ashtu, kjo lloj pune ka kontribuar pozitivisht në ngritjen e kapaciteteve të tyre dhe të veprojnë si një komunitet ku mbështesin njëra-tjetrën.
Raporti tregon mundësi të reja për punë fitimprurëse dhe biznes për gratë në këtë nënsektor. Disa mundësi mund të realizohen në një të ardhme të afërt, si për shembull diversifikimi i produkteve apo rrjetëzimi jashtë vendit, ndërsa të tjera mund të arrihen me kalimin e kohës, si konvertimi në eksportuese direkte. Raporti është përgatitur nga projekti Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE) të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
Nënsektori i BMA-ve dhe PPJD-ve, si dhe bujqësia organike, janë shumë të rëndësishme për gratë, posaçërisht për gratë në zonat rurale që nuk posedojnë shumë tokë. Përfshirja në punë në këtë nënsektor u siguron atyre një mundësi për të akomoduar përgjegjësitë e punës dhe të shtëpisë dhe të fitojnë të ardhura, si edhe të angazhojnë pjesëtarët e tjerë të familjes në këtë aktivitet.
Raporti “Për t’u rritur kërkohet më shumë se sa thjesht rritja” është pjesë e mbështetjes së PPSE-së për nënsektorin e BMA-ve dhe PPJD-ve. Qëllimi i përgjithshëm është të kontribuojë në krijimin e më shumë të ardhurave dhe punësimit për gratë, veçanërisht për shkak të sfidave me të cilat u përballën gratë në zonat rurale në vitin 2020 për shkak të COVID-19. Ky nënsektor përfaqëson mundësi të pashembullta për gratë që zotërojnë biznese apo ferma të vogla, duke u siguruar atyre mundësi fitimprurëse në treg.
Raporti më tej kontribuon në fuqizimin e grave brenda nënsektorit, në zhvillimin e praktikave për përfshirje më të mirë të të gjitha grave, në përmirësimin e qasjes së grave në tregun e punës dhe ndihmon në zvogëlimin e barrierave. Në një shkallë më të gjerë, fuqizimi dhe përfshirja më e mirë e grave në nënsektorin BMA-ve dhe PPJD-ve i kontribuon agjendës transformuese gjinore për të gjithë shoqërinë.