E diel, 16 Maj, 2021
No menu items!
spot_imgspot_img

“Entre dos Aguas & Troy Game”, premiera e Baletit Kombëtar të Kosovës që shpërtheu pamëshirshëm

Duhet lexuar

spot_img

Performanca e Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë jo vetëm që vërtetoi se trupa e baletit është një trupë që hapat, lëvizjet dhe kërcimet e pa para më parë, i sjellin si një trup i vetëm unik, por trupi i tyre shndërrohet në instrumentalin që dëgjohej, në një dukuri hyjnore që shkrihet tërësisht si një vullkan i zjarrtë që shpërthen atëherë kur nuk pritet nga askush dhe depërton furishëm në shpirtin dhe mendjen e secilit.

Trupa e Baletit të Kosovës mbrëmë ka dhënë premierën e parë për këtë vit të titulluar ”Entre Dos Aguas & Troy Game”, nën koreografinë e Robert North, i cili për shkak të kushteve pandemie nuk ka qenë i pranishëm në rrugëtimin e plotë të shfaqjes, por në vend të tij ishin dy asistentë dhe njëkohësisht koreografë: Lale Balkan dhe Julian Moss.

Në një ndriçim të zbehtë në sallën e Teatrit Kombëtar, të pranishmit dalëngadalë zunë vendet e tyre të distancuar. Teksa, në fytyrat e tyre shihej padurimi për premierën e cila solli një frymë ndryshe të pa identifikuar, nën qetësinë e publikut, ajo se çka dëgjohej ishin vetëm hapat e qetë të balerinëve që po bëheshin gati të dilnin në skenë.

Pas një brohoritje relaksuese të përbashkët nga balerinët, e cila erdhi prapa perdeve por të cilën tashmë jemi mësuar ta dëgjojmë, dritat humbën zbehjen e tyre duke zbritur në nivelin e errësirës që për një moment kaploi sallën dhe kështu perdja filloi të mbështjellët në vendin e saj për t’iu liruar balerinëve të shpalosin pjesën e parë të titulluar ‘Entre Dos Aguas’. E pikërisht si domethënia e saj që do të thotë në mesin e dy ujërave, balerinet vajza nisën hapat nën melodinë e tingujve latin, ku secila nga to kishte kostume të njëjta por me ngjyra të ndryshme se çka shtyu të formohet ideja se ato po kërcenin në një ritëm shumëngjyrësh.

Këtij ylberi latin, që filloi në një ritëm të butë e pothuajse të ngadaltë, surprizoi publikun kur në skenë iu bashkëngjiten edhe balerinët djem të cilët u ngritën nga karriget e tyre duke rritur intensitetin kur dy gjinitë u bashkuan, jo vetëm në një trup të vetëm por edhe në hapa dhe lëvizje të shpejta, për të cilat vështirë ti kapësh me sy por që është lehtësisht ta dashurosh punën madhështore të tyre në stilin flamengo.

Në një ndriçim sa në të kuqe e herë në të kaltër, tempoja e kërcimeve të shumta fizike në ajër kishin kapluar të gjithë sytë e buzëqeshur dhe adhurues të publikut. Po ashtu, në mesin e pjesës së parë herë pas here, nuk munguan as solot e balerinave që treguan një hijeshi të bukur me trupin e tyre duke ndjekur kështu tingujt instrumental spanjoll.

Me përfundimin e pjesës së parë, duartrokitjet dhe brohoritjet e vazhdueshme bënë që të gjithë balerinët të kthehen në skenë edhe një herë për të shijuar këtë moment të veçantë dhe mjaft inkurajues për pjesën e dytë që do të fillonte pas 5 minutave pauzë.

Teksa balerinët djem po bëheshin gati për pjesën e dytë të titulluar ‘Troy Game’, të pranishmit që as për një moment nuk iu ndahej vezullima në sytë e tyre, e shfrytëzuan rastin që të bisedonin me njëri-tjetrin për magjinë, identitetin, për energjinë që kapërceu nga ta e direkt mbi atmosferën e sallës dhe natyrisht për stilin e ri që pjesa e parë solli.

Ndërsa, kur pjesa e dytë nisi, ajo që e befasoi publikun ishin jo vetëm veshjet armatore por edhe fillimi pa asnjë melodi të vetme. Krejt se çka dëgjohej ishin të qeshurat dhe britmat e gjithsej tetë balerinëve të cilët nisën lojën e tyre për të shprehur talentin e secilit mashkull dhe fuqinë e tyre prej ‘burri’, duke e kthyer teknikën e tyre të lëvizjeve të shpejta në një formë të humorit.

Dinamika dhe harmonia e veçantë e lëvizjeve të tyre, e cila më vonë u shoqërua edhe me melodi, pasoi në një luftë të vërtetë të kërcimeve të fuqishme por që njëkohësisht ishin aq të bukura dhe aq të shpejta saqë vështirë të mbahen mend të gjitha nga audienca por që këtë talent balerinët e kanë të futur thellë brenda vetes duke treguar koncentrimin e tyre përderisa fokusi i tyre mbetet sjellja e magjisë unike që vetëm ata dinë ta sjellin në formën e tyre të mrekullueshme.

spot_img
spot_img

Lajmet e fundit

Inxhinieri francez dhe i biri, me kostumin e Shkodrës

Inxhinieri francez Agostin Briott, së bashku me të birin shihen të veshur me veshje shkodrane në një foto të...

Më shumë artikuj si kjo

- Advertisement -spot_img