E diel, 18 Prill, 2021
No menu items!
spot_imgspot_img

Ende asnjë cent për qytetarët që humbën punën si pasojë e COVID-19

Duhet lexuar

spot_img

Më 16 janar të këtij viti Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike, në vlerë prej 222 milionë eurove.

Ky Program përfshinë mbështetje për shëndetësinë, bizneset, bujqësinë, prodhimin, eksportin, arsimin, kulturën, sportin, bizneset e grave, familjet në asistencë sociale, qytetarët që kanë humbur vendin e punës, si dhe ndërmarrjet publike.

Deri më tani, në mesin e muajit mars, janë ndarë vetëm 60 milionë euro, nga 222 milionët e premtuara nga Qeveria Hoti.

Disa kategori ende vazhdojnë që të mos e marrin ndihmën e qeverisë, ndërsa kategori si gastronomët apo Shoqata e Transportuesve Rrugorë, kanë paralajmëruar protesta dhe bojkot të punës.

Ndihmat e ndara

Sipas Ministrisë së Financave, 60 milionë euro është shifra që deri më tani është ndarë, nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike.

12 milionë euro janë ndarë për subvencionet në bujqësi, 1 milion euro për mbulimin e tarifës garantuese të Fondit për Garanci Kreditore, 260 mijë euro për shtesa të sektorit privat.

3 milionë euro të tjera janë ndarë për mësimdhënësit dhe personelin teknik, ndërsa 180 mijë për shtesa për zjarrfikësit

6.5 milionë euro janë ndarë për bizneset aktive dhe të vetëpunësuarit, ndërsa 1 milionë janë mbështetje financiare për projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi.

Për skemat pensionale janë ndarë 13.5 milionë euro, ndërsa 7.5 milionë të tjera janë ndarë për dyfishimin e pagesës së shumës së ndihmës sociale, bazuar në numrin e familjeve përfituese.

1.6 milion euro janë për shtesat për muajt janar – mars 2021 për zyrtarët policorë, ndërsa 8 milionë të tjera janë ndarë për shtesat mujore për personelin aktiv shëndetësor të angazhuar kundër COVID-19.

Për projektet financiare të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal janë ndarë 1 milion euro. 700 mijë janë ndarë për shtesat për pjesën e mbetur të zyrtarëve policorë, ndërsa 78 mijë janë për shtesa për punonjësit social.

Dhe në fund, janë ndarë 3.2 milionë euro për sektorin e arsimit, për mbulimin e tarifës së semestrit veror për studentët e universiteteve publike.

“Po ashtu, me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria në detyrë, në mbledhjen e datës 27.01.2021 ka aprovuar vendimin për të lehtësuar ushtrimin e aktivitetit ekonomik të të gjithë tatimpaguesve, si pasojë e gjendjes së vështirësuar ekonomike të krijuar nga pandemia COVID-19”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave .

Sipas ministrisë, përmes këtij vendimi është shtyrë bllokimi i llogarive bankare për të gjithë tatimpaguesit që kanë obligime tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), deri më datë 30.04.2021, janë liruar llogaritë e bllokuara të të gjithë tatimpaguesve që kanë obligime tatimore ndaj ATK-së, deri më 30 prill 2021, si dhe janë hequr ndëshkimet për të gjithë tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore të pashlyera në ATK, nëse kryejnë pagesën e tatimit bazë dhe interesit, deri më 30 qershor 2021.

Protesta dhe bojkot

Në anën tjetër, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka paralajmëruar protesta nëse Qeveria në detyrë miraton masa për kufizimin e orarit të punës, ndërsa Shoqata e Transportit Rrugor ka nisur bojkot të punës, nga data 17 mars.

Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve, ka thënë se lokalet dhe gastronomia në përgjithësi vazhdimisht kanë synuar respektimin e masave të IKShPK-së, si ato për mbajtjen e distancës, maskës apo dezinfektuesit.

Por, Zuka ka thënë se Gastronomët janë kundër masave të Qeverisë për kufizimin e orarit të punës.

“Masat anti-COVID-19 të IKShPK-së vazhdimisht i kemi respektuar dhe do t’i respektojmë. Tash orarin e punës e kemi deri në ora 22:00, por nëse Qeveria në detyrë vendosë, për shembull, për orarin e punës deri në ora 20:00 apo 18:00, ne nuk do t’i respektojmë”, ka thënë Zuka.

Ai ka thënë se protesta e tyre varet nga vendimet e Qeverisë në detyrë.

Të enjten me 11 mars, përmes një konference për media, Shoqata e Transportit Rrugor, ka paralajmëruar bojkot të punës së tyre, si dhe protesta, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i kësaj Shoqate, ka njoftuar se nga data 17 mars ka marrë vendim për të hyrë në protestë për shkak të mos përmbushjes së premtimit dhe marrëveshjes që është nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Shoqata.

“Jemi i vetmi sektor që kemi përjetuar humbjet më të mëdha në aspektin ekonomik për shkak të keq menaxhimit nga qeveria me COVID-19”, kishte thënë ai në konferencë.

Kurtishaj, i ka kërkuar falje udhëtarëve, por sipas tij, përkundër vullnetit të tyre janë detyruar të dalin në rrugë pasi thotë se gjitha bizneset janë në rrugë të falimentimit.

“Nga 17 marsi i gjithë sektori publik i transportit rrugor të udhëtarëve të ndërpritet. Nuk do të ketë asnjë lloj transporti të udhëtarëve as nga fshati në qytet as nga qyteti në qytet. Kjo protestë do të zgjasë deri në realizimin e premtimeve dhe marrëveshjes me Ministrinë e Infrastrukturës”.

Qytetarët të pa punë e pa ndihma nga shteti

Neni 12 i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike parashihte që qytetarët e sektorit privat, që për shkak të pandemisë COVID-19, kanë humbur vendin e punës, do të kompensohen nga shteti në shumën prej 300 eurove për muaj, për 3 muaj.

Edhe pse mjetet për këtë qëllim janë ndarë, ata ende nuk e kanë marrë ndihmën e shtetit.

Sipas Ministrisë së Financave, janë ndarë 10 milionë euro për këtë qëllim, por që për implementimin e tyre ‘ia hedh topin’ një ministrie tjetër.

“Sa i përket implementimit, përgjegjëse është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Agjencia për Punësim të cilët janë duke punuar për implementimin e kësaj mase”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Përmes një përgjigje me shkrim, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) është arsyetuar, duke thënë se ministri ka formuar Grupin Ndërministror për përcaktimin e kritereve dhe përgatitjen e planit operacional.

“Grupi Punues Ndërministror brenda dy ditësh obligohet të hartojë dokumentin e kritereve se kush mund të përfitojë nga aplikimi i Masës 16, sipas Vendimit të Qeverisë. Këto kritere do të përfshihen në draftvendimin i cili do të dërgohet në Qeveri për aprovim”.

Sipas MPMS-së, për implementimin e kësaj mase, Qeveria ka angazhuar edhe Agjencinë Shtetërore të Informacionit, për krijimin e një platforme elektronike, përmes së cilës do të bëhet aplikimi për të gjithë ata që kualifikohen si përfitues të kësaj mase



spot_img
spot_img

Lajmet e fundit

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit sot kreu fluturimin e parё

TV Klan nga Shqipёria lajmёroi se sot ёshtё inauguruar Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e Veriut” si dhe është...

Më shumë artikuj si kjo

- Advertisement -spot_img